Triumfon në derbin me United, Manchester City zgjat dorën te trofeu i Premierligës

Manchester City vendos njërën dorë te titulli i dytë radhazi në Premier League në epokën Guardiola.

Citiziens triumfuan 0-2 në derbin e Manchesterit, duke thelluar krizën e United dhe duke rimarrë kreun e Premier League me një pikë më shumë se Liverpooli pas 35 javëve kampionat.

Sfida ndaj “Djajve të Kuq” konsiderohej si pengesa e fundit e vështirë në rrugën drejt titullit për skuadrën e Guardiolës, por United rezistoi vetëm në pjesën e parë, sepse në fraksionin e dytë City shënoi dy gola.

Fillimisht realizoi portugezi Bernardo Silva dhe më pas gjermani Leroy Sane, që erdhi në fushë nga stoli dhe regjistroi fitoren e 11-të radhazi në Premier League.

Për ekipin e Solskjaer vazhdon momenti jo i mirë, pasi pësoi humbjen e 7-të në 9 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Tre ndeshjet e mbetura të Cityt janë ndaj Burnley dhe Brighton në transfertë dhe Leicester në shtëpi, 3 sfida plotësisht të kalueshme për Sky Blues.

Për United ngushëllimi i vetëm pas kësaj humbjeje ishte disfata 3-1 që pësoi Arsenali ndaj Wolves, pasi gara për vendin e 4-t mbetet e hapur dhe të dielën ndaj Chelsea-t, “Djajtë e Kuq” edhe pse pozicionohen të 6-ët do të luajnë një finale të vërtetë për zonën Champions.