Fitoi ‘Isola dei famosi’, xhudisti italian do garojë për Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Tokios

Xhudisti italian, Marko Madaloni, do të garojë për flamurin e Shqipërisë në Botërorin e Xhudos që do të zhvillohet në Tokio. Duket e habitshme, por është e vërtetë.

Lajmin e ka dhënë vetë Madaloni, që pak ditë më parë u shpall dhe fitues i “Isola dei famosio”, varianti italian i “Survivors” i drejtuar nga Alesia Markuci.

“Do të filloj të stërvitem sepse në shtator është Kampionati Botëror në Tokio, ku unë do vesh fanellën e Shqipërisë. Tre vite më parë m’u desh të tërhiqesha pasi kisha disa keqkuptime me presidentin e federatës italiane. Më pas takova presidentin e Federatës Shqiptare të Xhudos, i cili më dha shtetësinë për merita sportive, ndaj do të përfaqësoj këtë shtet. Më duhet të rifitoj dinjitetin dhe të tregoj se do të tërhiqem nga ky sport kur e vendos unë”, tha xhudisti 34-vjeçar Italian, që në karrierë ka fituar dy herë medaljen e bronztë në botëror.