Edi Reja vjen me humor në Shqipëri, batuta e parë: Nuk qenkeni të varfër

Giani De Biasi, Christian Panucci dhe Edi Reja, janë treshja në dekadën e fundit, të konsideruar si; trajneri që na shkroi historinë, ai që na çoi në fund dhe një tjetër me shumë pritshmëri.

Sipas “Panorama Sport”, ky i fundit, duket që është një “stekë e vjetër”. Babaxhan, me batuta, i drejtpërdrejtë me mediat dhe shumë komunikues. Mbase ka marrë këshillat e fundit para kontaktit në vendin tonë, por me sa duket më të vlefshmet kanë qenë nga Giani De Biasi, i cili e ka përcjellë nga Italia me njohuritë e duhura të sjelljes me mediat apo edhe të leximit të situatës së Kombëtares.

Në prezantimin e djeshëm, Edi Reja ishte plot humor, si me presidentin edhe me mediat.

KONTRATA – Sapo përfundoi fjalën e tij hyrëse, presidenti Duka ndali pyetjet e gazetarëve për të bërë më parë ceremoninë e firmave në kontratë. Moment, të cilin vetë trajneri Reja e komentoi me një lloj batute. “Ah, po, në fakt duhet që më parë të firmoset dakordësia që të bëhet edhe zyrtarizimi (qesh…).

FIRMA – Në momentin që ai dhe Duka kishin përballë dy blloqe që nënkuptonin kontratat, Reja e pyet Dukën: “Duhet që të firmos apo duhet të shtirem?” Gjë e cila tregon edhe faktin se italiani, sapo mbërriti në federatë, nënshkroi në fillim kontratën e tij dhe më pas doli edhe në konferencën zyrtare. Por, më pas edhe ai edhe presidenti Duka, e bënë përpara mediave ceremoninë e firmave duke nënshkruar kontratat e reja.

URIMET – Ishte kreu i FSHF-së, Duka, i cili pas shtrëngimit të duarve në fund të konferencës uron trajnerin e ri: “Urime! Urime!” dhe si përgjigje ishte falënderimi i Edi Rejas. “Urime pikësëpari ty, jo mua. Urime dhe punë të mbarë”.

KOKTEJI – Një koktej ishte përgatitur për konferencën e djeshme dhe pas prezantimit, pati vend për një trokitje gotash me presidentin, por edhe me gazetarët. Reja ishte i hapur për biseda, por nuk ngurroi të ngacmonte kreun e FSHF-së: “Më thanë që Shqipëria është vend i varfër dhe federata me mundësi të kufizuara financiare, por duke parë gostitë, nuk qenka dhe aq jo (qesh…). situatë që duket se e gjeti disi të papërgatitur presidentin e FSHF-së, por duke pasur edhe kujdesin e mediave, iu përgjigj me të qeshur: “Jo, jo, nuk është e varfër”.