Lufta civile në Facebook

Përgjatë vitit të fundit, një luftë civile ka shpërthyer mes Facebook, Instagram dhe Whatsapp, duke i ndarë themeluesit e secilës kompani dhe duke përfunduar me sundimin suprem të Mark Zuckerberg mbi të treja.

Në një investigim të gjatë të Wired, të publikuar të martën, punonjës anonimë kanë treguar se si suksesi i Instagram-it, në kohën kur Facebook po vuante largimin e përdoruesve, bëri që Zuckerberg të ndërpriste burimet për Instagram, në mënyrë që të ruante produktin e tij origjinal. Në këtë mënyrë ai i largoi themeluesit e IG nga perandoria e tij teknologjike.

Në investigim thuhet se Zuckerberg ishte kaq i zemëruar që Instagram po rritej shumë, ndërkohë që Facebook po humbiste përdorues, sa ndjehej sikur po e kanibalizonte.

Pavarësisht se e ka në pronësi (Facebook e bleu kompaninë Instagram për 1 miliard dollarë në vitin 2012), ai vendosi të ndërpresë burimet për Instagram, duke shpresuar se kjo do i risillte përdoruesit sërish tek Facebook.

Po ashtu, Zuckerberg kishte problem faktin që themeluesit e Instagram po merrnin mbulim pozitiv nga media, kurse ai dhe drejtuesja tjetër e FB, Sheryl Sandberg zhyteshin nga skandali në skandal.

Publikimi i këtij investigimi pritet të nxisë zërat që Zuckerberg duhet të ndajë perandorinë e tij. Po ashtu do të shtojë kritikat ndaj aftësisë së Zuckerberg për të rrënuar konkurrentët edhe thjesht duke i blerë e më pas duke i shkatërruar.

Të hënën, një grup me aksionerë të Facebook kërkoi ngritjen e një bordi të pavarur për shkak se Zuckerberg kishte shumë kontroll mbi kompaninë.

Sherri me themeluesin e Instagram nisi që në vitin 2014, kur një revistë publikoi një profil të Kevin Systrom. Zuckerberg tha se askush nuk lejohet të dalë në media për profil pa lejen e tij ose të Sandberg.

Tre vjet më vonë, teksa Instagram po rritej me shpejtësi, një takim u mbajt në Facebook ku u prezantuan të dhëna ku thuhej se njerëzit po e përdorin gjithmonë e më pak logon blu (siç njihet në Menlo Park) si pasojë e rritjes së Instagram-it.

Në atë kohë, analistët u habitën se si drejtuesit po shqetësoheshin më shumë për produktin e lindur sesa për atë që kishin adoptuar.

Me kalimin e kohës, Systrom dhe bashkëthemeluesi tjetër i IG, Mike Krieger po frustroheshin gjithmonë e më shumë me mënyrën se si Zuckerberg kërkonte ndryshime që ata nuk i pranonin.

Në korrik të vitit të shkuar, Zuckerberg tha se do e fikte ventilatorin për Instagram-in, duke i hequr reklamat në Facebook apo importimin e mesazheve dhe fotove.

Systrom u tha miqve se ndjehej sikur Zuckerberg po e trajtonte atë njësoj si Donald Trumpo po trajtonte Jeff Sessions. “Po ma bën jetën ferr me shpresën se do largohem pa pasur nevojë të më pushojë”.

Facebook ua uli buxhetin dhe Systrom mori lejen paternale të lindjes. Ai nuk u kthye kurrë. Edhe Krieger u largua.

WhatasApp, kompania që u ble nga Facebook për 19 miliardë dollarë në vitin 2014, kishte të njëjtat probleme me pronarin e ri.

Brian Acton dhe Jan Koum, themeluesit e këtij aplikacioni, ishin të frustruar me planet e Facebook për të instaluar reklama në aplikacion.

Acton u largua në vitin 2017 pas përplasjes për reklamat.

“Në fund të fundit e shita kompaninë. E shita privacinë e përdoruesve të mi për një përfitim më të madh. Bëra një kompromis. Do më duhet të jetoj gjithë jetën me këtë”, tha ai në një intervistë për ‘Forbes’.

Kur shpërtheu skandali i Cambridge Analytica, ai postoi një mesazh: Fshini Facebook-un.

Koum u largua në prill të vitit 2018.