Shtëpia e Xhim Belushit del në shitje për 27 milionë dollarë

Aktori amerikan me origjinë shqiptare, Xhim Belushi ka vendosur në shitje vilën e tij në Los Angeles për shumën 27 milionë dollarë. Rezidenca me stil mesdhetar është hedhur sot në treg, pasi u la pezull që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur u përpoq të shitej për 29.9 milionë dollarë. Kjo është hera e tretë që 64-vjeçari mundohet ta nxjerrë në shitje; hera e tij e parë daton në 2017-ën, me çmimin e kripur prej 38.5 milionë dollarë.

Belushi e bleu vilën në vitin 2007 për vetëm 8.3 milionë dollarë. Fillimisht, ajo ishte një shtëpi që datonte që prej 1950-ës. Vila, e cila është e madhe 1300 metra katrorë, ka 6 dhoma gjumi, 11 tualete dhe një dhomë për shijimin e verës. Ajo ka gjithashtu kopshte, oborre dhe një pishinë.

Xhim Belushi  është bërë i njohur për publikun me programin “Saturday Night Live” në mes të viteve ‘80-të dhe serialin “According to Jim”, i cili u shfaq në Amerikë prej vitit 2001-2009.