Galliani kundërshton UEFA-n: Me rregullat e reja, Milani i Berlusconit nuk do ekzistonte

Adriano Galliani shfryn ndaj UEFA-s dhe më konkretisht ndaj “Fair Play Financiar”.

Milani është dënuar nga qeveria e futbollit evropian, pasi nuk ka respektuar rregullat e “Fair Play Financiar”, por për ish-administratorin e deleguar të kuqezinjve, i cili bashkë me Silvio Berlusconin formuan një binom fitues, kjo që po ndodh me klubin nuk është e drejtë.

Sipas Gallianit, nëse “Fair Play Financiar” do ekzistonte edhe para 30 viteve, Milani më fitues i të gjitha kohërave ose më saktë, Milani i Berlusconit, nuk do të ekzistonte.

“Nuk është e drejtë, kristalizon ekzistencën e një klubi. Unë firmosa dorëheqjen më 13 prill 2017, mbetem tifoz kuqezi, por nuk do të flas më. Do të flasin drejtuesit e tyre, pronarë të mëdhenj. Ne e morëm klubin me dy istanca falimenti, jashtë kupave dhe e kthyem të fitonte titull, Kupë Kampionësh dhe Interkontinentale në vetëm 3 vite. Sot nuk është e mundur. Me rregullat e reja, pra FFP, Milani i Berlusconit nuk do të kishte ekzistuar, Milani i pesë Championseve”, deklaroi Galliani.