Reagimi epik/ ‘Eh mor Gjergj, luftove me pallë për këto palla’

Kreu demokristian Nard Ndoka, në një reagim të fortë dhe ironik të publikuar në rrjetet sociale, u është “drejtuar” dy figurave më të shquara të historisë tonë, Skënderbeut dhe Nënë Terezës, duke u kërkuar falje për atë çfarë po ndodh në Shqipëri sot.

Në reagimin e tij epik, Ndoka shkruan ndër të tjera se drejtuesit e sotëm të vendit, duke ju referuar Ramës, Veliajt dhe Lleshit, po njollosin emrin e tyre.  

Ja reagimi i Ndokës

Ah mor Gjergj, eh moj Motër Gonxhe, na falni!

Gjergj Kastrioti e Gonxhe Bojaxhiu; dy emblemat për kombin tonë ndër shekuj.

Të vetmit këto e ngriten emrin dhe imazhin e Shqipërisë në botë ndër shekuj. Këto emra dhe imazhe i gjen kudo; në sheshe, rrugë, institucione, muzeume, libra, në historitë e shumë vendeve nëpër të gjithë botën.

Por rilindasit e sotshëm, po njollosin edhe emrin e tyre;

Erion Veliaj, i prish sheshin Gjergjit, trazon edhe kalin e Tij, duke e provokuar herë pas here me imazhe, që ai kalë i kishte shkelur me kembë në beteja me turqit.

Edi Rama, vitin e Gjergjit e kthen vitin e Erdoganit; në çdo gjë; në formë, përmbajtje, në filozofi anadollake.

Rama me Sandrin, gjatë pashallëkut të tyre; nxijnë imazhin e Motër Gonxhes; “vidhet “Nënë Tereza” në Shqipëri, publikojnë të gjitha mediat ndërkombëtare.

Eh mo Gjergj; luftove me pallë për këto “palla”...

Motër Gonxhe, e përkushtove jetën tënde për të varfërit ,në gjithë botën; dalin ca horra dhe njollosin imazhin e Shqiperisë, që t’i na le si pasuri kombëtare.

Gjergj e Motër Gonxhe!

Do lutemi per Ju, me mirënjohje dhe respekt, me dashuri e vlersim; për emrin Tuaj, për më të mirën Tuaj, për gjithçka që bëtë e latë per ne!