Zëvendësi i Lleshit del jashtë rreshtit: Me grabitjen në Rinas është cënuar siguria kombëtare

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar në emisionin Top Talk në Top-Channel, pranoi se grabitja e bujshme në Rinas është “cënim i sigurisë kombëtare”.

“U cënua siguria kombëtare, u cënua siguria në një nyje nevralgjike të vendit tonë, siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri. Duhet të kuptojmë pse ndodhi kjo”, deklaroi Lamallari.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes është shprehur më parë se ky rast nuk përbën cënim të sigurisë kombëtare, pavarësisht se u detyrua të dislokonte trupa ushtarake në perimetrin e aeroportit “Nënë Tereza”.

“Deri në rivendosjen e masave të sigurisë dhe moscënimit të aeroportit, Forcat tona të Armatosura do të garantojnë infrastrukturën kritike dhe objektet e rëndësisë së veçantë, në këtë rast, Komandën e Forcës Ajrore dhe aeroportin, të cilat janë në funksion të NATO-s, misionit të saj, lëvizjeve të saj”, do të justifikonte mëngjesin e sotëm urdhërin e saj ministrja e mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Deklarata e djeshme e ministrit Lleshaj:

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në Rinas, nuk ka funksionuar sistemi i sigurisë së koncesionarit. Kompania kineze e sigurisë ka dështuar në misionin e saj. Nuk është sinjalizuar policia për rastin, edhe pse duhej bërë. Koncesionari nuk ka vepruar siç duhet, duke mos njoftuar policinë. Por policia ka vepruar me vendosmëri duke kryer misionin e saj. Forcat policore kanë vepruar në vend dhe më tej dhe sot kemi prova materiale të rëndësishme. Grupi hetimor ka prova me rëndësi për ngjarjen. Do të merren masa për të ruajtur sigurinë kombëtare”.