Rrëfen dëshmitari, çfarë ndodhi gjatë përplasjes së Policisë me grabitësit

Një nga dëshmitarët e ngjarjes së djeshme ka treguar çfarë ka ndodhur në përplasjen e Policisë me grabitësit e Rinasit.

Ismet Vladi po punonte tokën kur ka dëgjuar krismat.

Ai thotë se tre makina policie i ishin vënë pas në ndjekje një fugoni të bardhë, ndërsa vetëm më pas mësoi më vonë se këta të fundit ishin grabitësit e Rinasit.

“Këtu ishte fugoni i bardhë me shkrime anësore, policia ishte në kthesë me fugon, dera anësore e të cilit ishte hapur, sepse e kanë me shinë. Ka qenë luftë, gjuanin shumë persona, s’kanë qenë as një dhe as dy”, rrëfen Ismet Vladi.

Ismeti ka treguar më tej se makina e grabitësve, kishte bllokuar rrugën, ndërsa njëri prej grabitësve gjuante me armë drejt policisë.

“Të shtënat kanë zgjatur 3 minuta, pastaj s’pati më. Në fillim kallash, pastaj filluan me pistoleta”, tha më tej dëshmitari në një bisedë për Top Channel.

Të njëjtën gjë ka konfirmuar ndërkohë edhe fqinji i tij.

“Ishte një breshëri zjarri, ndërsa më tej u ndal gjithçka. Se çfarë ka bërë më tej policia, s’e di, nuk kam dalë më në derë”, tha Ilmi Nuka.