VIDEO/ Kryevepra e Limaj mban Kukësin në garën për titull, Gjoka e rinis me fitore

Sfida e javës së 28-të e luajtur në qytetin e Kurbinit, mes Laçit dhe Kukësit, u mbyll me fitoren e verilindorëve, me shifrat minimale 0-1.

Pjesa e parë, në ndeshjen debutuese për Ernest Gjokën, ishte e barabartë për të dyja ekipet, me pak raste për të dyja formacionet.

Me fillimin e të dytës, ekipet shtuan forcën sulmuese, ndërsa të dyja patën edhe pretendime për penallti në zonat respektive.

Laçi pretendoi për një prekje me dorë të Rrocës, ndërsa nga ana tjetër Rama u pengua brenda zone, por asgjë për kryesorin Koçi.

3 pikët në ndeshjen e parë, Gjokës ia dha Vesel Limaj, me një perlë nga pothuajse 40 metra.

Lojtari i Kukësit, goditi fort dhe lart topin, i cili nuk arriti të ndalej nga portieri Selmani.

Në fund, ekipi i Starovës pëson humbjen e parë që kur ai e ka marrë drejtimin, dhe mbetet në vendin e pestë me 41 pikë, ndërsa Kukësi në vendin e dytë me 48 pikë, vetëm 6 më pak se Partizani, i cili do të luajë pasditen e sotme ndeshjen e tij kundër Skënderbeut.

Në takimin tjetër, Kastrioti fitoi 1-0 me Luftëtarin, me golin e shënuar nga Marku me penallti.

Krutanët marrin tri pikët të çmuara në luftën për mbijetesë, ku deri në fund pritet të zhvillohet e ashpër me Luftëtarin dhe Tiranën.