VIDEO/ Shpërthen presidenti i Portos: Salah duhej të ndëshkohej me karton të kuq

Polemika pas ndeshjes së Champions League mes Liverpoolit dhe Portos, ku anglezët fituan 2-0.

Presidenti i Portos, Pinto da Kosta, ka sulmuar ashpër arbitrimin, duke iu referuar veçanërisht një episodi, ku protagonist negativ është sulmuesi egjiptian i Liverpoolit, Mohamed Salah.

Numri 1 i Portos ka folur për “Record”, ku ka theksuar se faulli i Salah ishte i shëmtuar dhe i rëndë, duke rrezikuar shumë seriozisht shëndetin e Danilos.

“Danilo duhet të falënderojë Zotin, sepse ajo ndërhyrje mund t’i kishte thyer këmbën. Salah ishte me shumë fat, që nuk u ndëshkua me karton të kuq për atë ndërhyrje. Duket qartë se Salah i ka vendosur takat në këmbën e kundërshtarit. Udhëzimet e UEFA-s për raste të tilla janë të qarta: çdo ndërhyrje me taka sipër kavijles është për karton të kuq. VAR-i duhej të kishte sinjalizuar arbitrin për të parë atë episod dhe jam i sigurt se Salah do të ndëshkohej me karton të kuq. Por nuk ndodhi asgjë dhe egjiptiani ka mundësinë të luajë edhe në ndeshjen e kthimit”, ka thënë presidenti i Portos.

Momentin e ndërhyrjes së Salah ndaj Danilos mund ta shihni në videon e mëposhtme.