Kufijtë e Kosovës/ Haradinaj përballet me Vuçiç në Gjermani

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka konfirmuar sot në një konferencë për media se do të udhëtojë për në Berlin, që të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ky takim i presidentit serb me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, do të ndodh për herë të parë në historinë e dy emrave si politikanë.

Presidenti serb ka treguar se ky takim është caktuar që të mbahet me 29 prill, dhe në të do të jetë e ftuar edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, shkruan B92.

Se presidenti Hashim Thaçi ka marrë ftesë për këtë takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin gjerman e ka konfirmuar edhe këshilltari i presidentit, Bekim Çollaku.

‘Po e konfirmoj pranimin e ftesës për Presidentin e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Berlin me 29 prill’, ka thënë Çollaku për Express.

Ky takim është bërë me inicimin e Francës dhe Gjermanisë, dhe Vuçiç ka konfirmuar se e kanë pranuar këtë ftesë.

Në intervista të mëparshme Vuçiç vazhdimisht kishte deklaruar që shumë shpejtë do të kishte një përfshirje të Francës dhe Gjermanisë në çështjen e zgjidhjes së problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse nuk kishte dhënë detaje për një gjë të tillë.

Ky takim i ftuar nga dy shtetet e fuqishme evropiane me siguri do të jetë për të diskutuar rreth situatës aktuale dhe bllokimit të dialogut dhe gjetjes së një gjuhe të përbashkët për të ecur përpara.