Refuzohet rinumërimi i plotë i votave në Stamboll

Partia e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan duket se po humbet betejën ligjore për të rifituar qytetin më të madh të vendit, e cila prej 31 marsit i ka kaluar opozitës. Komisioni zgjedhor ka deklaruar se rinumërimi i votave të paligjshme në Stamboll do të bëhet vetëm në një pjesë shumë të vogël të kutive. Presidenti Erdogan kishte kërkuar numërimin e plotë pasi i gjithë procesi ishte shtrembëruar nga parregullsitë dhe krimi i organizuar.

Këshilli i Lartë Zgjedhor në Turqi ka refuzuar pjesërisht kërkesën e partisë qeverisëse "Drejtësi dhe Zhvillim" për rinumërimin e plotë të votave në rajonin e Stambollit.

Zëdhënësi i partisë kryesore në vend deklaroi të hënën se rinumërimi tanimë pritet të përqendrohet te vetëm 51 kuti votimi në 21 njësi administrative të Stambollit.

Por shanset që votat e parregullta të ndryshojnë rezultatin raportohet të jenë shumë të pakta.

Pak orë më herët, kreu i shtetit, Erdogan e cilësoi procesin zgjedhor në Stamboll si të dominuar nga krimi i organizuar dhe thuajse totalisht të parregullt.

Duke iu referuar zgjedhjeve në qytetin ku ai shërbeu 25 vite më parë si kryebashkiak, presidenti turk tha se në një qytet me 10 milionë banorë asnjëra palë nuk ka të drejtë të deklarojë fitoren kur rezultati ndahet me më pak se 14 mijë vota.

Komisioni Europian apeloi partinë në pushtet që të pranojë rezultatet e zgjedhjeve, por nuk mungoi reagoi Ministrisë së Jashtme turke e cila e vlerësoi deklaratën si të nxituar dhe arbitrare.

Në zgjedhjet vendore të 31 marsit, kandidati opozitar i Partisë Republikane, Ekrem Imamoglu, fitoi me 48,79% të votës popullore të Stambollit, kundrejt 48,51% që mori rivali i tij kryesor.

Disfata të ngjashme u përsëritën edhe në qytetet e tjera kryesore si Izmiri apo në kryeqytetin Ankara, ku kandidati i opozitës vetëm dje mori formalisht mandatin e tij.

Partia konservatore ka qenë në pushtet prej vitit 2002 dhe vijon të ruajë mbështetje masive në popullatë, por performanca e saj po zbehet në qendrat urbane, të cilat duket se nuk po pajtohen me politikat që presidenti Erdogan ka ndërmarrë për krizën ekonomike dhe inflacionin që po përjeton vendi prej të paktën një viti.