Libia lahet në gjak, 21 të vdekur dhe 27 të plagosur

Qeveria e shtetit libian, mbështetur nga OKB ka informuar se gjatë luftimeve të fundit në Tripoli, 21 persona mbetën të vdekur dhe 27 të tjerë u plagosën.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm të luftimeve dhe shtoi se palët duhet që të ulen në tryezë bisedimesh. Forcat rebele të gjeneralit Khalifa Haftar erdhën nga lindja dhe po tentojnë të marrin Tripolin, shkruan BBC.

Kryeministri Fayez al-Serraj akuzon Haftar për grusht-shteti dhe i akuzon forcat e tij për dhunë. Forcat e gjeneralit Haftar thanë se kishin humbur 14 luftëtarë. Ndër të vdekurit ishte edhe një mjek.

Më herët OKB-ja apeloi për një armëpushim dy-orësh, kështu që viktimat dhe civilët mund të evakuoheshin, por luftimet vazhduan. Libia është përfshirë nga dhuna që pas rënies nga pushteti të Muamar Gadafit.