'Kushtet mizerabël në konvikte', maturantët braktisin Shqipërinë, dynden ne Panairin e Universiteteteve Italiane

Me qindra maturantë janë dyndur këto ditë në një panair të universiteteve italiane që po zhvillohet në Tiranë.

Ata thanë për kameran e Ora News se dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit, kjo e ndikuar edhe nga situata e vështirë politike ku ndodhet vendi, por edhe nga korrupsioni dhe kushtet e fakulteteve, janë disa prej shkaqeve që po i detyrojnë të rinjtë të largohen drejt një universiteti të huaj.

Sipas statistikave në çdo vit janë të paktën 24 mijë të rinj të cilët aplikojnë për të fituar një të drejtën për të vazhduar një fakultet jashtë Shqipërisë.

"Protesta e studentëve ka ndikuar shumë te studentët e tjerë që me vazhduar jashtë", thotë një nga studentët.

Për maturantët, arsyet përse nuk duan të studiojnë në Shqipëri lidhen së pari me korrupsionin dhe kushtet e studimeve.

"Përderisa shkon në një Universitet je e prirur që të studiosh me aq mundësi sa ke, me aq para sa të mundësojnë të shtëpisë dhe jo tu japësh ryshfete pedagogëve. Korrupsioni i profesorëve, problemet në Shkodër dhe Tiranë. Protesta e studentëve.Këto gjëra në Itali nuk kanë mundësi me ndodh".

"Universitetet në Itali njihen në të gjithë botën, tarifat janë goxha të ulëta. Notën nuk mund ta marrësh këtu nëse nuk paguan. Ndërsa këtu kushte në konvikte nuk janë aq të mira", thotë një tjetër maturante

Sipas organizatorëve të eventit, interesi i të rinjve shqiptarë, sa vjen dhe shtohet.

“Ka një interes të madh për të studiuar në Itali për të perfeksionuar studimet, por mbi të gjitha për të studiuar ato specialitete që nuk gjenden në Shqipëri”.

Italia është një nga shtetet që pranojnë më shumë maturantë shqiptarë për të ndjekur Universitetin, por së fundi edhe Gjermania apo shtete të tjera po shihen si mundësi për vazhdimin e shkollës.