U arrestua për mashtrim, kush është mjekja që prezantohej si ‘juriste’. Emri

Një nga dy personat e arrestuar këtë të martë nga policia e Tiranës, në kuadër të aksionit të koduar “Juristët e rremë” është Miranda Fortuzi 48 vjeçe nga Tirana me profesion mjeke, e dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit”.

Në vitin 2016, Miranda Fortuzi u arrestua nga policia bashkë me një tjetër person, e më pas u dënua nga Gjykata për mashtrim.

Asokohe, Policia njoftoi se: “Specialistët e sektorit ekonomik në drejtorinë e Tiranës arrestuan Miranda Fortuzin dhe Hysen Zenelin pasi akuzohen për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve”.

Sipas hetimeve, 45 vjeçarja, Miranda Fortuzi është prezantuar si juriste në kryeministri dhe i ka premtuar një 60-vjeçari zgjidhjen e një problemi pronësie pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, për një sipërfaqe toke prej 136500 m2. Dhe për këtë, Fortuzi i ka kërkuar 60-vjeçarit 50.000 Euro. Ndërsa Hysen Zeneli ka bërë të mundur, akordimin midis dy personave dhe ndërhyrjen në disa zyra të ndryshme. 

Ja njoftimi i policisë: 

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristët e rremë”, arrestuan në flagrancë shtetasit:

– M. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë (e dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit”);

– N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezatuar si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues të Republikës së Shqipërisë, kanë mashtruar dy shtetas duke iu kërkuar një shumë të konsiderueshme lekësh, me qëllim për t’iu siguruar leje zhvillimore e licencë për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies në një komunitet fetar.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë në momentin që do të takoheshin për t’u kërkuar lekët dy shtetasve të mashtruar.

Gjatë arrestimit kanë bërë rezistencë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

Një automjet;
Dy aparate celularë;
Dokumente të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Përvetësimi i titujve apo i detyrës shtetërore”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, parashikuar nga nenet 143/3, 186, 246/2, 237 dhe 236 të Kodit Penal.