Ka tension te Milani, Leonardo i vendos ultimatum Gattusos

Humbja ndaj Sampdorias dhe fitorja e Lazios ndaj Interit ndez dritën e kuqe te Milani, që duhet të përqendrohet maksimalisht në ndeshjet e mbetura për të siguruar një vend në zonën Champions.

Pas seancës stërvitore të ditës së diel, drejtuesit e klubi kuqezi janë takuar me trajnerin Gattuso dhe, sipas “Sky Sport”, i kanë dhënë një lloj ultimatumi, sipas të cilit, Milani nuk duhet të luajë më pa Lukas Paketan dhe Frenk Kessie.

Pavarësisht se palët vijojnë të mohojnë debatin, është “Tuttosport” që zbardh diskutimet brenda mureve të “Milanello”-s, duke pasuruar me një tjetër episod raportin mes Gattusos dhe Leonardos.

“Udhëzimi” mendohet të ketë qenë shkak edhe i debateve të ditëve të kaluara, sidomos për sa i përket Paketas.

Leonardo kërkon të shohë gjithnjë në fushë bashkëkombësin, për të cilin klubi shpenzoi 35 milionë euro në merkaton e janarit.

Pozicioni i lojtarit është në dorë të trajnerit, që në ndonjë nga ndeshjet e mbetura mund ta përdorë edhe si fantazist, një rol që, sipas ekspertëve të sektorit, i shkon më së shumti për shtat 21-vjeçarit.