Xhaferi, dëshmitari i masakrës vdiq, asnjë prokuror s'e thirri për humbjen e të birit 13-vjeçar...

Shumë fantazma bredhin mbi të gjithë ne. Ato nuk na trembin e nuk na bëjnë ndonjë dëm, por na shtyjnë të kuptojmë rëndësinë e të kaluarës për ndërtimin e të ardhmes sonë.


Nga Leonora Aliu
 

Ishte 30 prilli. Një ditë e rëndomtë pranverore me rreze dielli që herë zbuloheshin e herë mbuloheshin nga retë që të kujtonin kaosin përmes formave në ndryshim e sipër. Ishim në vaktin kur shkencëtarët krijojnë re artificiale, por retë e Polacit të Drenicës po e lëshonin një hije të rëndë gri tash, edhe më 2017. Atë ditë dukej se edhe qielli qante nga pikëllimi. E edhe Xhafer Veliu bashkë me të.

«Fshija ujin prej fytyrës», ishte lutja që Xhafer Veliu po ia bënte gruas së tij Kumries, ndërsa vështronte pikat e shiut që po pikonin në faqet e njoma të gravuara në mermerin e varrit të djalit të tij, Shyqriut. Ky i fundit kishte mbetur përjetësisht i ri, 13 vjeçar, që nga viti 1999. Atëkohë, Shyqriu ishte vrarë me dhjetëra fëmijë të tjerë në masakrat e Çikatovës së Vjetër në Drenicë.

Afër 200 njerëz, burra e fëmijë, ishin tubuar nga disa fshatra të Drenicës, për t’u pushkatuar nga Brigada 37 e motorizuar e gjeneralit të tmerrshëm me emrin, Lubisha Dikoviq. Pse? Sepse kishin qëlluar shqiptarë.

Xhafer Veliu ishte njëri ndër 32 burrat që ishin dërguar për pushkatim në një vend të kobshëm që quhej «Te Shavarinat» në Çikatovë të Vjetër. Të tjerët ishin bartur me kamionë si të ishin thjesht trupa, në drejtime të ndryshme, shumica prej tyre për të mbetur të zhdukur prej asaj dite. Ndërsa fëmijët ishin lënë te xhamia e Qirezit për të mos u parë kurrë më. Nga ai vend, Xhafer Veliu ishte ndarë për të fundit herë duke u vështruar me të birin e tij, Shyqriun.

Xhafer Veliu kishte arritur të shpëtonte nga pushkatimi, kur  bashkë me një vendas ishin turrur në mal duke ikur. Kishte mbetur vetëm me disa plagë në trup. Bajram Rexhepi, atëkohë mjek, më vonë kryeministër i Kosovës, ia kishte trajtuar plagët e plumbave që e kishin shpuar trupin e tij asokohe por kishte vuajtur nga plagë të shpirtit deri më 2018.

Çka po më shtyn që ta ndaj këtë rrëfim me lexuesit? Të afërmit e mi e dinë se ajo që kallëzonte Xhafer Veliu më 2017 e që e kishim incizuar me një ekip të Kosovo 2.0, më ka lënë përshtypje të thella, duke qenë një ndër të paktat nga shumë storje të realizuara që i nxjerr shpesh nga kujtesa për t’i ndarë me lexuesit e ndjekësit në rrjete sociale.  Ka një arsye.

Më datën 15 mars të këtij viti u bë një dekadë e plotë që e nisa punën si gazetare. Njerëzit shpesh më kanë pyetur se cila ishte storia e preferuar apo personazhi më mbresëlënës që e kam intervistuar. Gazetaria të jep mundësinë që të takosh shumë njerëz e edhe më shumë karaktere. Një tregim nuk është asnjëherë i plotë nëse nuk përcillen përjetimet e njerëzve për ato ngjarje. Nëse mbesin pa u rrëfyer këto përjetime, ato do të davariten në qiellin tonë dhe si fantazma do ta bëjnë namin. Imagjinoni sa shumë dhimbje të patreguara ka në vendin tonë.

Xhafer Veliu ka qenë personazhi që i ndrynte të gjitha ato që personalisht mendoj se janë elementet që e bëjnë të plotë një tregim: fakte, kujtime, rrëfim, emocion, histori – e mbi të gjitha, ndillte përjetim dhe afërsi.

Xhafer Veliu, i vetmi dëshmitar i masakrës «Te Shavarinat», që jetoi 19 vjet rresht pas lufte, ka vdekur. Ai e pësoi nga një sëmundje e rëndë dhe nga plagët e luftës, pa u ftuar nga asnjë prokuror që të pyetej për humbjen e djalit të tij, Shyqriut 13 vjeçar, dhe as për krimet e tjera që i kishte parë me sytë e tij.

«Gjithë kam mendu që kam me gjetë të gjallë», na pati thënë derisa fliste për përpjekjen që ta gjente trupin e djalit të tij, që për 6 vjet ishte cilësuar si i zhdukur para se të gjendej mu në vendin ku ai kishte pritur pushkatimin e tij, në varrezën masive «Te Shavarinat» në Çikatovën e Drenicës. Xhafer Veliu e dinte se nuk e kishte larg vdekjen, dhe në takimin e fundit më tha: «Tash shkoj i qetë, se dikush e dëgjoi rrëfimin tim». Por, këto mendoj se ishin më shumë si fjalë ngushëllimi për mua dhe ekipin që ishim kapluar nga heshtja.

Xhafer Veliu kërkonte drejtësi! Për zhdukjen dhe vrasjen e djalit, për zhdukjet dhe vrasjet e shumë fëmijëve tjerë në masakrat e Drenicës.

Atë s’e ndihmonin lulet apo fjalimet patetike në rrjete sociale të politikanëve të korruptuar. Po këta politikanë e kanë harruar ose shpërfillur dhimbjen e madhe të njerëzve, aq sa as nuk e përmendën në dialogun me pasardhësit e regjimit vrasës të Millosheviqit. Sot, 20 vjet pas, rrëfimi i Xhafer Veliut për përjetimet e tij, si një ndër mijëra sosh që gjenden në familjet kosovare, nuk duhet të jetë veç sa për të shpaluar kujtime e kuruar dhimbje, por edhe për ta shtyrë përpara kërkesën për drejtësi. Drejtësisë për Shyqriun, për Ferdonije Qerkezin dhe simotrat e saj, për gratë e Krushës, fëmijët e Mejës, për Kosovën!

Këto rrëfime po shtypen dita ditës, po mbyllen veshët para dhimbjes së tyre, dhe këto janë veç shenja të karakterit apatik kolektiv. Ne po shtypim dhimbjen e njerëzve!/Dialogplus