VIDEO/ Studenti i dhunuar rrëfen për Syri.net: Ja si më sulmoi policia, po protestoja për të drejtat e mia

Në një lidhje direkte nga Spitali i Traumës, ish deputetja Albana Vokshi dhe studenti i dhunuar në protestën e sotme Gesar kanë rrëfyer për Syri.net dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

Sipas deputetes, dhuna policore nuk ka kurser as gratë.

“Është ushtruar dhunë ndaj grave dhe vajzave. I keni parë pamjet kur është marrë zvarrë një zonjë e nderuar, që është edhe e sëmurë, është mbi 70 vjeçe. Dhunë edhe ndaj invalidëve, këtu jemi me Gesartin e ekselencës, me mesatare 10, që ka dalë për të protestuar. I është mohuar edhe bursa, jeton vetëm me nënën dhe motrën. Protestoi paqësisht por justifikoi dhunën të pajustifikuar. Më thanë që ka qenë pa ndjenja për një kohë të shkurtër. Ka rroba të grisur, ka shenja dhune dhe është ushtruar dhunë me mjete të forta, siç thotë edhe raporti mjekësor. Kemi protestuar paqësisht, Gesardi ka qenë krejt paqësor”, është shprehur ish deputetja Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, kryeministri ta harrojë se pushteti nuk mbahet me dhunë.

Ndërsa studenti i dhunuar tregoi se, protesta ka qenë paqësore. Ai kishte dalë për të kërkuar të drejtat e tij ku edhe është dhunuar nga policia.

“Po protestoja për të drejtat e mia, se më është mohuar bursa. Po protestoja paqësisht dhe një polic më godet me grusht dhe më pas disa grushta të tjerë në kokë dhe në qafë. Bie në tokë dhe aty kam humbur ndjenjat. Goditjet ishin nga policia. Mbaj mend që ishin nga Shqiponjat, por goditjet ishin të forta. Kam dalë për të kërkuar e drejtat e mia. Kjo e drejtë më është shkelur. Kjo është hakmarrje pasi kam qenë shumë aktiv në protestat e studentëve. Në këtë shtet duhet të jesh servil ose dele të marrësh bursë”, rrëfehu ai për Syri.net.