‘Kurbani’ do zëvendësojë ‘Mesharin’, kurse…’

Kushtrim, kushtrim vikati kryelëronjësi i gjuhës shqipe ! Ai si Gjon Buzuku në motin e largët 1555 tha , gjuha shqype po bdaret e bastardhonet !  Edi Rama që nënkuptohet sapo themi kryelëronjesi pasi i ka realizuar anembanë të gjitha premtimet dy vite para afatit lëshoi mandanë për të ndrequr e meremetuar të dlirtën gjuhë, por si i ambli fllad i verës ! Pas disa vitesh kuptoi që problemi është tek shqipja.

Ajo në këtë prapambetje nuk arrin ti përcjelle mesazhet, kumtet, sukseset e tija personale dhe ato te rilindjes ! Ndonëse populli i ka ikur mbase falë edhe këtij keqkuptimi sëpaku le të mësojnë gjuhën e Naimit e Fishtes arushat e malit dhe gargujt e fushës! Dje ai mbërtheu në parmendë buajt dhe qetë  e komunikimit gjeniun faqekuq Gent dhe Ulsi Manjën e mprehu plorin dhe i hyri djerrinës nga ku dilnin shkronjat e Dhaskal Todrit, vargjet e Naimit me diell e hënë të gëzuar e shumë të tjera bukuri arbërore! Dje ai pasi rilindi shtetin, demokracinë, ekonominë, arsimin, kulturën, namuzqarinë kombëtare vendosi të rilindë Gjuhën duke venduar e urdhëruar që ajo te kellaset nder Universitete që studentet ti latojnë e prarojnë mendimet me avetarin e dhe shkronjën e rilindjes se re! Pasi lëroi fushat u pa të ngarkonte mushqit plot me arka , rrasur në to shkronjat e reja të ardhura nga kasabatë e Alemanjës! Mori tunxhin me vetë ,Taulantin, dhe ngjiti monopatet me sytë katër mos Pandeli Majko i maskur si Ndriu te filmi “Udha e shkronjave” i jep në ndonjë të shtyrë dhe e gjuan në ndonjë përroskë! Kjo dite do të shënohet në kujtësin kombiarë njësoj si “Formula e pagëzimit”, Kuvendi i Arbërit”, “Kongresi i Manastirit” , “Komisia letërare”, “Kongresi i Drejtshkrimit” me epërsinë që i jep moderniteti për tu përsosur! Gjuha e re do këtë tekstet e veta! “Kurbani” do të zëvendësojë “Mesharin” , “Doktrinën e Krishtere”, “Ritualin Roman” ! Dhaskenjtë e Dhaskalicat që në kongres njëzëri sokëllinë ay ay ay ay e dashuron mëmëdhënë dhe gjuhen do të bëjnë gramatike e sintakse!

Fjalimet e tyrë medoemos për nga spikama dhe rëndesa , zulma e madhështia duhet të zëvendësojnë librat e Kadaresë, Camajt , Pllumit etj ! Ne mos mjaftofshin dhe uri e studenteve për dije do jetë qamet e madhe të gërmohet në kohe dhe të nxirren enciklikat e vitit 2009 , sidomos ajo për bujqësinë të këput shpirtin me fushat e begata e malet e larta që Kryelëronjesi i ka ndërmend ditë e natë! Edhe ajo për kulturën nuk rri me poshtë me kënge amani e zamani, me dajre të cilës i ra vetë ay në autobuz ! Atë mund ta çkoqisin Besa dhe Elisa teksa bëjnë karabina paktin për Universitenë! Nga vetja mund të shtojnë nder seminare statuset që nomatisin në Facebook!

Ndoshta këto ditë do sajonte edhe dekorata e lartë “bekimi i kryeleronjesit” me propozim të “opozitës” se re nëse Parlamenti punon në paqe nga të nëmurat protesta opozitare! Ajo një ditë do t’u varet ai medaljon  mbi gjokset  plot gufim te ligjshëm krenarie  për rijetëzimin që po u bënët shkrolave të gjuhës tënë ! Bëna hallall e kabull o Kryeleronjes nëse nuk e kemi kuptuar bash si duhet nismeë tende të re, dhe nuk mbajtem gojën mbyllur kur nuk kishim ndonjë gjë për të thënë në lartesinë e shqipes së kongresit po helbete ende drite e diturisë së rilindjes tatë përpara nuk na ka shpjerë neve këndej nga filologjiku ! Ndërkohe populli këndon – gjuha shqipe sa e mirë sa e ëmbël sa e dlirë , Edi Rama sa i mirë! Afërim, Afërim./Panorama/