O karrigen, o dy metra dhe'!

Të gjithë po shtrojnë, një pyetje madhore; Si do të dilet nga kjo krizë e rëndë, por mbi të gjitha përse të dalim, çfarë do të arrijmë?!

Një nga opsionet, i cili është në rezonancë me kërkesën e shumicës absolute të shqiptarëve, është shfrytëzimi i këtij kolapsi të paprecedentë. Kjo për ta konsideruar atë, si një shans historik që ta rivendos përfundimisht në hulli këtë sistem të graduar në mënyrë malinje, i cili mban në lojë për 30 vite të njëjtat elita politike. Ato grupe politiko-ekonomiko-madje kriminale, të cilat kanë arritur deri aty, sa që jo vetëm tashmë i ka kapur paniku e frika, por kanë edhe neveri dhe turp nga llumi i korrupsionit ku janë zhytur ndër vite.

Me pak fjalë kërkohet që përfundimisht vendi të ketë Zgjedhje, që nuk menaxhohen më nga 2-3 parti si askund në botë, ligj të egër për atë që e, ofron-kërkon, votën në këmbim të çdo lloj favori; sistem të pastër mazhoritar, i cili mundëson që vota të jepe për individët dhe kjo do të detyronte edhe partitë të bëjnë përzgjedhje cilësore për kandidatët. Gjithashtu një ligj të ri për partitë politike, si celulat bazë të pluralizmit dhe demokracisë; zhdukja e mbretërimit të kryetarëve me gjithë atributet e listave për deputet (primaret); shkurt dhe përfundimisht garë dhe vetëm garë në kushte të barabarta, në gjithë sistemin politik shqiptarë.

Kjo është pika Zero, ky është starti i ri pas të cilit vota le të na vendos në krye të shtetit e të partive, ata që meritojmë.

Por si dhe me kë do të bëhet kjo; prapë me këta që janë protagonist, të kësaj krize dhe derexheje?!

Përgjigjja është me dhimbje; Po, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër. Mëkatarët a shkaktarët e tranzicionit të errët shqiptarë, quajini si të doni, duan apo nuk duam kanë barrën historike, që të realizojnë edhe fundin e tij. Nuk është hera e parë në historinë botërore që pasoja, zgjidhet dhe zhduket nëpërmjet shkakut dhe mjetit që e krijoi. Se çfarë do të bëjë më pas sistemi i lirë zgjedhor dhe politik, apo drejtësia, kjo është çështje e të ardhmes, kurdo qoftë ajo.

Në fund të fundit nuk duhet të harrojmë që pluralizmi në Shqipëri u themelua, edhe në bashkëpunim me Ramiz Alinë dhe mbetje e infiltrime të tjera të sistemit diktatorial të Hoxhës. Kështu ndodhi në gjithë Europën Lindore, pas rënies së bllokut komunist, në fillim vite 90-të. Ingranazhi i një demokracie funksionale që në vendin tonë nuk funksionoi plotësisht, i spastroi ata rrugës. Elitat i ndryshon vetëm vota e lirë dhe pikërisht ajo, ka munguar gjithmonë këtu.

Tani të kthehemi, në situatën e sotme.

Një nga kurthet, ‘kleçkat’, e kësaj krize që duket si pa zgjidhje të afërt është fakti, se opozita të vetmin kusht të panegociueshëm të saj ka vënë emrin e Edi Ramës. Ky i fundit është futur në cep të qoshes së ringut dhe po detyrohet, ose të lërë ndeshjen, ose të përpëlitet me të gjitha fuqitë që ka në dispozicion, për të dalë që andej.

Tashmë ditë pas dite po artikulohet qartë, veçanërisht nga Lulzim Basha, se duhet të kryhet një reformë e plotë e sistemit zgjedhor dhe kushtetues. Kuptohet që opozita e bashkuar ka kërkuar që kjo gjë të bëhet me Patinë Socialiste dhe këdo përfaqësues të saj, por duke përjashtuar kategorikisht Edi Ramën. Unë do të shtoja që kjo nuk mjafton, pasi nëse do të ketë një pakt të madh kombëtar, për këtë ‘sistem të ri’ duhen përfshirë, edhe faktorë të tjerë politikë pavarësisht se nuk bëjnë pjesë, në dy ‘tepsitë e mëdha’ protagoniste politike.

 Duhen edhe përfaqësues të klasës inteligjente, diasporës, studentëve, artistëve, akademikët, grupe interesi të të gjitha shtresave shoqërore e të biznesit. Duhet mbi të gjitha një projekt i shkruar, edhe në bashkëpunim me ekspert ndërkombëtarë, i cili do tu lihet mbi tavolinë të gjithë faktorëve me vetëm dy opsione; Merre ose lëre!

Çështja është, se Edi Rama nuk po jep shenja të një reflektimi për këtë zgjidhje që opozita në rrugë e ka si opsion të fundit, detyrim-përcaktim. Ndaj nxjerrja e tij jashtë lojës, (projektit më saktë) si një kusht për ecjen përpara bëhet edhe më emergjentë.

Ky kusht nuk lindi në hava, as për pushtet në tavolinë dhe as kundër Partisë Socialiste, siç kërkon ta shesë vetë Rama. U ngjiz ndër këto vite, pasi kryeministri i Rilindjes që është shndërruar papritur ‘ Në kryetar i Partsë Socialiste’ identifikohet si përgjegjësi kryesor për futjen e krimit në parlament dhe në drejtimin e shumë bashkive; Ka marrë përsipër individualisht krijimin e një sistemi të mbyllur oligarkik në punët dhe financat e shtetit. Ka frymëzuar, lejuar dhe mbrojtur kanabizimin e pa precedentë të vendit në vitet, 2016-207; Është kapur në çarkun e ngritur nga shërbimet inteligjente të huaja ndaj krimit të organizuar, si ortak me ata për blerjen e zgjedhjeve; Ka bllokuar konkurrencën në ekonomi dhe vetmja punë që bën që tash e gati 6 vite, janë tenderat dhe koncesionet abuzive e të jashtëligjshme.

 Edi Rama si individ gjithashtu është identifikuar sistematikisht nga brenda e jashtë radhëve të Partisë Socialiste, si shkatërrues i rregullave dhe demokracisë së brendshme të kësaj force politike. Nuk pranon zgjedhje për kryetarin; nuk pyet forumet e partisë për ministrat e këdo që ‘gradon’ për hesap të tij; përjashtoi gjithë figurat themeluese e intelektuale në parti, etj. Me pak fjalë, është historia e një ‘pirati, që është bërë Papë’.

Problemi i këtij ‘pape’ të zgjedhur gjithmonë me tym të zi është, se ai ka një marrëdhënie të padëgjuar ndonjëherë me karrigen e pushtetit. Është i pakrahasueshëm me asnjë nga protagonistët e dy ‘tepsive’ që janë të dënuara ti japin zgjidhje përfundimtare, fundit të tranzicionit klepto-kriminal.

Ilir Meta që dje ofroi qoftë edhe në mënyrë metaforike, jo vetëm dorëheqjen nga detyra e lartë e presidentit, por edhe vetësakrifikim është larguar vetë disa herë nga karriget e posteve. Madje edhe kur ishte kryeministër, menjëherë pas fitoi zgjedhjet me PS-në.

 Sali Berisha hapi krahun mes të qarave e refuzimeve në drejtimin e një partie ku ishte themelues e lider historik. Pandeli Majko e ka vetë-lëshuar dy herë në mënyrën më perëndimore dhe prestigjioze, karrigen që Rama nuk e lëshon sot për qamet.

Fatos Nano themelues e lider historik i PS-së, e dorëzoi partinë fare ‘lehtë’ në duart e këtij që i është mbushur mendja, se është projektuar që në gjenitalet e babait për të ‘vdekur’ në karrigen e pushtetit. Edhe Lulzim Basha që ka ardhur pas tyre, lëshoi zyrën e rëndësishme të ministrit të Brendshëm, për të kandiduar, për bashkinë e Tiranës.

Kthejeni për pak kokën mbrapa në këto 22 vite, që nga dita që zbriti nga avioni, Paris-Tiranë.

Nuk i prishte asnjë punë Edi Ramës që të jepte dorëheqjen si ministër Kulture, kur kandidoi në vitin 2000 për bashkinë e Tiranës, por nuk e bëri duke shkelur rregullat e partisë dhe Kodit Zgjedhor.

Nuk e lëshoi karrigen e ëmbël të kryebashkiakut të Tiranës për tu bërë deputet, as pse ishte kryetar i PS-së në zgjedhjet e vitit 2009, duke i trajtuar socialistët si qorra e budallenj; O kryeministër, o mirë jam këtu te tavolina e lejeve të ndërtimit.

Por edhe pas kësaj nuk e dha dorëheqjen siç ja kërkonte Statuti i partisë, pasi i humbi zgjedhjet në të njëjtin vit. Kur ja kujtonin Ben Blushi me LMN-në se ka rregulla partia, thoshte nuk iki se duhet hapur kutia!

Pastaj shpiku një referendum në PS dhe i dha dërrmën e fundit partisë e demokracisë brenda saj, duke eliminuar përgjithmonë garën për kryetar.

Prandaj janë të kota thirrjet, kushtet dhe shpresat e opozitës në rrugë, që paktin e madh kombëtar që duan shqiptarët ta bëjnë me Partinë Socialiste. Ajo fatkeqësisht është shndërruar thjesht në një nga këmbët, e karriges së Ramës.

Mund të vazhdojmë pambarim me shembuj të cilët vërtetojnë se Rama nuk e ka fare problem që të flak miq e ministra, të dorëzojë te opozita gjysmën e qeverisë socialiste (Rasti Çadra), të prishet me amerikanët (Rasti i armëve kimike) etj, etj; por vetëm karrigia e pushtetit të mos i preket!

Atëherë si i bëhet kur kemi mbetur peng të një individi, që ka pësuar metamorfozën e një karrigeje pushteti?!

Meqenëse ‘na duhet stabilitet rajonal’ nuk shoh ndonjë zgjidhje të shpejtë, të paktën te këto protesta sa do të mëdha të qofshin dhe aq më pak, te boja në gojë të Edit e në vesh të Ralfit.

Por le të pyesim njëherë, çfarë thotë (marrë nga bashkëbisedimi i famshëm, me atë fshatarin në Lezhë) edhe vetë Ramë-Karrigen:

Për sa më takon mua, unë e kam pasur të qartë që kur kam qenë shumë më i ri e nuk kam qenë në këtë punë, që në fund dy metra dhe mbeten!