Gega nuk dorëzohet:Asgjë nuk ka përfunduar, kualifikohemi në Gjirokastër

Pas humbjes së papritur në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë me Luftëtarin, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, theksoi se pati momente përgjumjeje nga të tijtë në momente të caktuara.

Ai pranoi se ishte një hap i gabuar, por nuk është pesimist për kualifikimin.

“Patjetër që është një hap fals, por në Kupë janë dy ndeshje, ka përfunduar vetëm pjesa e parë. Shpresojmë që të bëjmë në Gjirokastër atë që ata bënë në këtë ndeshje. Nuk duhej të ndodhte, por ja që ndodhi. E rëndësishme është që ta lëmë prapa këtë ndeshje”, tha fillimisht tekniku i të kuqve.

Më tej Gega shtoi: “Ndeshja ishte vlerësuar, edhe pse ndoshta nuk u bë interpretimi i duhur. Duhej ta mbyllnim ndeshjen më parë. E vlerësoj çdo ndeshje Kupe dhe çdo ndeshje miqësore. Do të vazhdojmë kështu siç jemi, kemi humbur vetëm një ndeshje në Kupë. Ishim të përgjumur, nuk e vlerësuam në maksimum në disa momente lojën. Nuk duhej të kishim panik. Duhet t’i shohim gjërat siç janë, do të shkojmë në Gjirokastër dhe asgjë nuk është mbyllur”.