Salianji nxjerr zbuluar Ramën e Lleshajn: Qesharakë! Drejtori i Policisë së Tiranës u shkarkua para 3 ditësh

Ngjarjet e sotme pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, që po bëjnë xhiron e rrjetit dhe u kthyen në kryefjalë të ditës, si dhe bërja publike e shkarkimit të drejtorit të Policisë së Tiranës, kanë sjellë edhe reagimin e ish deputetit të PD-së, Ervin Salianji.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ky i fundit sulmon kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj, të cilin e krahason me Ponc Pilatin dhe shkruan se, numri një i policisë së kryeqytetit është shkarkuar para tre ditësh dhe jo sot.

“Pasi i përdorin pa mëshirë kundër popullit të tyre, Rama dhe Lleshaj po largojnë drejtorët e policive në përpjekje pêr të pastruar imazhin e tyre si politikanët më të urryer!”, shkruan ish deputeti demokrat.

Postimi i Ervin Salianjit:

Lleshaj si Ponc Pilati!

Pasi i përdorin pa mëshirë kundër popullit të tyre, Rama dhe Lleshaj po largojnë drejtorët e policive në përpjekje pêr të pastruar imazhin e tyre si politikanët më të urryer!

Policia u përplas 6 orë më gra dhe fëmijë të pambrojtur në hall, me urdhër të Sandër Lleshajt, me dijëninë dhe me miratimin e tij dhe të kryeministrit. Tani është shumë vonë që të shfaqet i pafajshëm dhe të lajë duart si Ponc Pilati.

Presioni i opinionit publik po i bën të reagojnë në panik dhe të bëhen qesharakë. Policët e dinë se Drejtori i Tiranës është larguar tre ditë më parë nga detyra.

Rama dhe Lleshaj e kanë vulosur fatin e çdo polici në këtë shtet. Ata po i përdorin në mënyrë të paligjshme prej tyre dhe, në momentin kur prishin punë, do i flakin si limona të shtrydhur. Këtë ka bërë Rama me paraardhësit e tyre, këtë ka bërë edhe me gjyqtarët dhe prokurorët. Të gjithë të përdorur për pushtetin personal të Ramës!

Në 16 Mars të gjithë në këmbë për Shqipërinë!