Policia thotë se e kapi PI-në që i ra policit me gur në kokë: është intelektual

Policia njoftoi se e ka gjetur dhe e ka arrestuar sot, personin që e goditi me gur në kokë, policin e FNSH-së gjatë protestës që u zhvillua dje në Fier kundër kryeministrit

Sipas Policisë, ai është P.I, 56 vjeç dhe është inspektor në bashkinë e Mallakastrës. Mbi të rëndojnë tre akuza: “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme".

Nuk dihet nëse e ka pranuar akuzën, P.I, inspektori i bashkisë, por ky është një nga rastet e rralla kur intelektualë, zyrtarë të shtetit në protesta, akuzohen se qëllojnë me gurë, shtuar këtu faktin se kreu i PD-së Fier, Luan Baçi, dha disa detaje jo pa rëndësi për tensionin që u krijua gjatë asaj revolte:

"...Jam interesuar në spital nga kirurgë, - tha Baçi në media, -  dhe më kanë thënë se nuk ka pasur qepje si thonë në portale, por gërvishtje nga një mjet i fortë, qoftë dhe gur që ka dalë nga turma. Por nuk e di nëse ka qenë protestues apo i infiltruar për ta bërë një gjë të tillë, pasi ka pasur me dhjetëra punonjës policie civilë që qarkullonin në mes të turmës së protestuesve dhe janë të identifikuar.Çdo gjë ka qenë e inskenuar për të krijuar një përplasje."

Megjithatë më tej, në njoftimin e saj, Policia shtoi se pasi ka proceduar 10 protestues, po kërkon të kapë dhe dy të tjerë që i kanë ikur. Këtu më poshtë, njoftimi i plotë i Policisë:

Arrestohet punonjësi i Bashkisë Mallakastër, që goditi punonjësin e policisë të FNSH me gur në kokë gjatë protestës së djeshme të zhvilluar në Fier

Në vijim të veprimeve hetimore dhe pas analizimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera të mbledhura, u bë identifikimi i personit që goditi me gur në kokë punonjësin e policisë.

Si rezultat, rreth orës 13:10 u kap dhe u arrestua shtetasi P.I, 56 vjeç, banues në Ballsh (me detyrë inspektor mjedisi në Bashkinë Mallakastër).

Në vijim të veprimeve të kryera, policia e Fierit ka proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe 10 shtetas, si edhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e 2 shtetasve të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme"./ar.sh/SYRI.NET