Man City fiton dhe kryeson Premier Leaguen, Sterling heroi i ndeshjes

Manchester City ka marrë fitoren e radhës në Premier League.

‘Citizens’ kanë triumfuar me rezultatin 3-1 ndaj Watford, falë një paraqitjeje spektakolare të Raheem Sterling, i cili realizoi tripletën në vetëm 13 minuta lojë.

Pasi pjesa e parë u mbyll pa gola, dukej sikur Manchester City do të vuante për fitoren, por këshillat e Guardiolas në pushimin mes dy pjesëve duket se dhanë efekt.

Një minutë pas fillimit të pjesës së dytë, ishte Sterling që shënoi për 1-0.

Vetëm katër minuta më vonë, ishte përsëri anësori britanik që shënoi për të dyfishuar avantazhin e skuadrës së tij.

Sterling kompletoi tripletën e tij në minutën e 59’, për të vulosur fituesin e këtij takimi.

Watford arritën që të përgjigjen me anë të Gerard Deulofeu, i cili shënoi golin e “nderit” në minutën e 66’.

Pas 30 javësh, Manchester City tashmë numëron 74 pikë, katër më shumë se Liverpooli që nesër luajnë kundër Burnley.