VIDEO/ 6 vite në pushtet dhe rruga Tiranë-Elbasan që mbeti rrugëve

Një herë del kryeministri e thotë “përfundon brenda vitit”, Më pas del ministri i infrastrukturës e thotë sërish “përfundon brenda këtij viti”. Por kanë kaluar rreth 6 vjet që kur Partia Socialiste ka ardhur në pushtet dhe rruga Tiranë-Elbasan ka mbetur rrugëve.

Historia e rrugës Elbasan-Tiranë është e gjatë. Punimet nisën në vitin 2011 në kohën e qeverisë Berisha.

Sipas projektit rruga u nda në tre lote: segmenti 1 Tiranë – hyrje e Tunelit të Krrabës, segmenti 2 Tuneli i Krrabës, segmenti 3 dalje e Tunelit – Elbasan.

Por ndërsa 2 segmentet e fundit përfunduan, segmenti nga rreth rrotullimi i TEG-ut deri në hyrje të tunelit nuk është gati.

Janë vendosur disa herë afate për përfundimin e tij, dhe në asnjërin prej tyre projekti nuk u finalizua.

Në Pranverën e vitit të kaluar, në mbledhjen e qeverisë së zhvilluar në Elbasan, Kryeministri Edi rama deklaroi se rruga do të përfundojë në dhjetor të vitit të kaluar, ndryshe ministri Damian Gjiknuri do largohej  nga posti. Në fakt ai sot nuk eshte me ministër.

Më 22 janar të këtij viti, segmenti u inspektua sërish nga Kryeministri, i cili deklaroi se në mars të këtij viti do të hapet një nga korsitë. Ndërsa në maj do të përfundojë krejtësisht rruga.

Për afatet e përfundimit të punimeve askush nuk u prononcua, ndonëse ishte parashikuar që rruga të hapej për Ditën e Verës.

Një nga punonjësit e firmës është shprehur për ABC News se, firma nuk ka marrë ende lekët për punimet ndaj nuk pritet që ta dorëzojë rrugën më 14 mars. Dhe kështu odiseja e rrugës që kurrë nuk përfundon, ende vazhdon.

Gjiknuri, Prill 2018

Gjiknuri, 18 Shtator 2018

Rama, janar 2019