Solskjaer do marrë gjysmën e pagës së Mourinhos te Manchester United

Ole Gunnar Solskjaer do të marrë vetëm gjysmën e pagës që Jose Mourinho kishte gjatë kohës kur ishte trajner i Manchester Unitedit, nëse do të vazhdojë të jetë trajner edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

Mourinho paguhej 17.5 milionë euro në sezon nga “Djajtë e kuq”, ndërsa paga e Solskjaer pritet të jetë 8.7 milionë euro.

Solskjaer i ka fituar 14 ndeshje dhe ka barazuar dy të tjera, që kur u emërua në stolin e klubit anglez.

Disfata e tij e vetme erdhi në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Paris Saint-Germaini e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 në “Old Trafford”.

Mirëpo, në Paris erdhi përmbysja e madhe e Manchesterit, i cili fitoi 3-1 dhe u kualifikua në çerekfinalet e Championsit.