Morati tregon si dështoi të sillte Iniestën dhe Mesin tek Interi

Masimo Morati ka qenë një nga presidentët më jetëgjatë në krye të një klubi italian dhe një ndër më të suksesshmit.

Morati ka dhënë një intervistë në mediat italiane ku ka rrëfyer shumë nga prapaskenat e merkatos kur ka qenë në krye të Interit.

“Blerja ime e parë e vërtetë në krye të Interit ishte Zaneti. Ai nuk ka ardhur si një zgjedhje e dytë. Më kishin dërguar videokasetat e tij nga kampionati argjentinas. Një natë më telefonuan dhe pyetën nëse duhet të procedonin për blerjen e tij. Unë shkova zgjova një nga djemtë e mi dhe i tregova videokasetën. Mora telefonin dhe urdhërova të blihej Zaneti”, kujton ish-presidenti i zikaltërve.

Më tej Morati tregon si dështoi për të blerë Iniestën: “Në një farë mënyre ishte Iniesta një nga dështimet e mia. Por kjo erdhi pas një mbylljeje totale nga ana e lojtarit. Në atë kohë ne kishim fuqi financiare për të blerë këdo lojtar. Takova drejtuesit e Barcelonës dhe sa përmenda emrin e tij, qëndrimi ishte i prerë për jo. Mund të kishim bërë një ofertë, por ai nuk do të shitej kurrë. Të njëjtën gjë kemi bërë dhe për Mesin pothuajse, por kur ishte nën 18 vjeç. Unë betohem; te Barcelona kujdeseshin për Mesin si një baba për fëmijën e vet, pasi ai kishte probleme me shëndetin”.