FOTO/ Tirana gjen zgjidhje për bojkotin e kampionatit

Për të përmbyllur ciklin javor stërvitor me një ndeshje 90-minutëshe, skuadrat e Superiores po mendojnë që në fundjavë të luajnë sfida miqësore.

Kështu, klubi i Tiranës ka njoftuar në faqen zyrtare se të premten, në orën 14:00, në “Selman Stërmasi” bardheblutë do të zhvillojnë një test miqësor me Korabin dhe të gjithë të apasionuarit e klubit kryeqytetas, që duan ta ndjekin nga afër skuadrën e zemrës, mund ta bëjnë falas, pasi dyert e stadiumit do të jenë të hapura.

Pezullimi i kampionatit, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti, erdhi në një moment shumë pozitiv për Tiranën, që në 7 takimet e fundit në Superiore kishte arritur 4 fitore e 3 barazime, i fundit në derbi me Partizanin dhe me dominim në fushë.

Për bardheblutë sigurisht që do të ishte më mirë që të luhej këtë fundjave përballë Kastriotit në transfertë, pasi ndiejnë ende entuziazmin e derbit.

Gjithsesi, testi me Korabin do t’i shërbejë trajnerit Mema për ta mbajtur të karikuar skuadrën.