Takaj reagon për bojkotin: Sporti po përshtatet me situatën që po ndodh në vendin tonë

Futbolli në Shqipëri ka ndaluar në të gjitha kategoritë. Shkak është bërë dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në takimin Kamza-Laçi.

Shoqata e arbitrave ka bojkotuar garën dhe FSHF ka lajmëruar klubet se kjo javë nuk do të zhvillohet.

Për këtë ka reaguar edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

“Më duket e qëllimshme që dhe sporti të përshtatet më situatën që po ndodh në vend. Nuk është aspak rastësi ajo që ndodhi, ishte diçka që e kemi paralajmëruar që në fillim. Ata që hartuan këtë ligj, për largimin e policisë nga stadiumet, e dinim shumë mirë që do vinte ky moment.

Bojkoti i arbitrave? Është vendimi më i drejtë që mund të kenë marrë ndonjë herë. Duhet ta çojnë deri në fund me çdo kusht. Nuk është koha për të bërë shfaqje, duhet të ruajmë këtë produkt për të cilin kemi vite që punojmë. Gjithçka e mirë që është bërë mund të zerohet brenda pak muajsh. Është një goditje e madhe për imazhin e futbollit shqiptar” u shpreh për “Balkanweb” presidenti i korçarëve, Ardian Takaj.