Thomas Muller zemërohet me trajnerin e Gjermanisë

Thomas Muller ka thënë se është shumë i zemëruar për mënyrën sesi Joachim Low e përjashtoi nga ekipi kombëtar i Gjermanisë.

Ai ka këmbëngulur se ende është në gjendje të luajë në nivelin më të lartë.

Low njoftoi të martën se Mulleri bashkë me bashkëlojtarët e tij te Bayern Munich, Jerome Boateng dhe Mats Hummels, nuk do të jenë më pjesë të Kombëtares.

Muller ka zhvilluar 100 ndeshje për Gjermaninë dhe bashkë me Hummels dhe Baoteng, ishin protagonist në fitimin e Kupës së Botës në vitin 2014.

“Sa më shumë që mendoj për këtë, aq më shumë zemërohem për mënyrën sesi ndodhi”, tha Muller.

“Nuk e kuptoj pse ky vendim duhet të jetë përfundimtar. Kam mbetur plotësisht i shtangur nga ky vendim i trajnerit të Kombëtares. Trajneri duhet të marrë vendime, nuk e vë në dyshim këtë. Por, Mats, Jerome dhe unë, jemi në gjendje të luajmë futboll në nivelin e lartë”, shtoi sulmuesi i bavarezëve.