Ja çfarë po bënte Sergio Ramos gjatë kohës kur Reali po turpërohej nga Ajaxi

Sikur të mos mjaftonte disfata turpëruese 1-4 mbrëmjen e djeshme ndaj Ajaksit, në skuadrën e Realit duket se do të krijojë një çështje më vete prania e Sergio Ramos në tribunë.

Mbrojtësi ishte i pezulluar, pasi ishte ndëshkuar me kartonë të verdhë në sfidën e parë në Holandë, teksa më pas erdhi dhe një dënim me dy ndeshje skualifikim nga UEFA, pasi spanjolli pranoi se ishte ndëshkuar qëllimisht me kartonë.

Në këtë mënyrë, Ramos ishte i detyruar të ulej në tribunë për të ndjekur dështimin e shokëve të skuadrës, teksa fotografët ishin gjithë kohës të vëmendshëm ndaj veprimeve të kapitenit.

Megjithatë, më pas u mësua se fotografët nuk ishin aty vetëm për të ndjekur veprimet e Ramosit gjatë ndeshjes, por ishin duke punuar për një dokumentar rreth spanjollit, i cili do të publikohet vitin tjetër.

Mesa duket, 32-vjeçari nuk e kishte kaluar nëpër mendje një kapitullim spektakolar të Realit, duke i çuar dëm një mbrëmje e cila pritej të kalonte pa surpriza ndërkohë që Ramos në tribunë pozonte edhe për dokumentarin e tij.