Lulzim Basha bën Mea Culpa, për `post-Çadrën!

Kreu i Partisë Demokratike pasi ka këmbëngulur, se nuk do të ketë asnjë hap pas për sa i përket aksionit të opozitës për të shkulur krimin e organizuar nga qeverisja dhe politika, bëri edhe një “Mea Cupla” për atë që ndodhi pas marrëveshjes së 18 Majit 2017, mes tij dhe Edi Ramës. Basha edhe më herët ka kërkuar në mënyra të ndryshme ndjesë për pasojat e paktit të “post-Çadrës”, por këtë herë ai ka shkuar edhe më tej duke deklaruar, se ai ishte “i dëmshëm për interesat e Shqipërisë”.

“Dialogu midis meje dhe Ramës provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë për mënyrën si u keqpërdor nga një njeri që hiqet si kryetar i PS, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar dhe të oligarkëve grabitqarë që dëmtojnë interesat e shqiptarëve, dëmtojnë dhe interesat e socialistëve, dëmtojnë dhe interesat e demokracisë”, tha Basha për gazetarët menjëherë pas takimit me zv. ambasadoren e SHBA në Tiranë.