Drejtori italian largohet nga Kamza pas dhunës ndaj arbitrit: Nuk e imagjinoja kështu

Duket se italiani Fabio Cordella, i cili mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm, nuk do të jetë më pjesë e Kamzës.

Me një mesazh në rrjetet sociale ai ka bërë të ditura edhe shkaqet e largimit, ku sigurisht vijnë pas dhunës ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti.

“Nuk e imagjinoja kështu dhe nuk doja që gjërat të shkonin kështu, por pas asaj që ndodhi në ndeshjen e fundit, deklaroj se kam dhënë dorëheqjen si Drejtor i Përgjithshëm i Kamzës, pasi ngjarja e fundit nuk është në linjë me vizionin tim. Futbolli duhet të jetë shembull për fëmijët, një vend ku ata të kenë mundësi të marrin vlerat e duhura, një vend për moral e integritet. Nuk shkohet në stadium për luftë apo për të hapur urrejtje. Shpresoj që tifozët ta kuptojnë pozicionin tim dhe do të doja t’i falënderoja, ashtu siç falenderoj klubin për mundësinë. U uroj më të mirën në të ardhmen e afërt”, shkruan Cordella në faqen e tij në Facebook.