Boateng reagon pas ‘përjashtimit’ nga Gjermania: S’e prisja të ndodhte kështu

Jerome Boateng nuk e ka pritur mirë lajmin e trajnerit Joachim Low, i cili ka bërë të ditur se pas 10 vitesh që nga debutimi i tij nuk do të jetë më pjesë e Gjermanisë.

Me një postim në profilin e tij në Instagram, Boateng ka theksuar se do donte që lamtumira e tij të vinte në një formë tjetër, por gjithsesi ai respekton vendimin e trajnerit.

Ja deklarata e plotë e mbrojtësit të Bayernit:

“Trajneri i Kombëtares, Joachim Low, më tha në bisedë të sinqertë se nuk do të jem më pjesë e përfaqësueses gjermane. Ai dëshiron t’u japë një shans emrave të rinj për t’u bërë gati për turnetë e radhës. Jam i trishtuar nga ky lajm, pasi ka qenë ndjesia më e bukur për mua që të përfaqësoj vendin tim.

Gjithsesi, unë e respektoj këtë drejtim që po merr Kombëtarja dhe e kuptoj vendimin e trajnerit. Kam qenë i ri vetë dhe më është dashur që lojtarët më të mëdhenj në moshë të më linin hapësira.

Personalisht jam i bindur se mund të vazhdoj të luaj në nivelet më të larta dhe do ta bëj këtë në vitet e ardhshme. Do të kujtoj gjithmonë me shumë kënaqësi momentet që kam kaluar te Kombëtarja gjermane.

Kam qenë gjithmonë pafundësisht krenar kur kam veshur fanellën e Kombëtares dhe veçanërisht kurrë s’do ta harroj atë verë të vitit 2014-ës. Gjithsesi dëshiroja një lamtumirë tjetër për ne. I uroj fat skuadrës në të ardhmen!”.