Kapiteni i Dortmundit mban gjallë shpresat për kualifikim: Bëjmë të pamundurën

Marco Reus beson ende te një kualifikim i Borussias së Dortmundit në fazën tjetër të Championsit.

Kapiteni i verdhezinjve që u rikthye në ndeshjen me Augsburgun pas një mungese rreth një muaj, tani është gati të luajë nga minuta e parë.

“Në këtë stadium janë luajtur disa ndeshje që kanë hyrë në histori. Mendoj se jemi në gjendje për të bërë të pamundurën”, tha kapiteni.

“Kryesorja është të besojmë se mund t’ia dalim. Duhet të shënojmë në momentin e duhur, në mënyrë që të mbetemi në lojë për kualifikimin”, shtoi gjermani.

Borussia e Dortmundit është mundur në ndeshjen e parë ndaj Tottenhamit në Angli me rezultatin 3-0.

Ndërkohë, kapiteni foli edhe për humbjen në Augsburg. “Ishte një ndeshje e çuditshme, kemi falur shumë pikë në kampionat. Kjo ka bërë që Bayerni të rikuperojë ndaj nesh. Gjithsesi, besoj se skuadra do të dijë të reagojë, duke filluar nga ndeshja e radhës. Por tani le të fokusohemi në ndeshjen me Tottenhamin përballë tifozëve tanë”, përfundoi Marco Reus.