Çfarë po ndodh me Komunitetin Mysliman?! SHBA, zbarkon për të monitoruar zgjedhjen e kryetarit të ri!

Zhvillimet e fundit në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komunitetit Mysliman, duket se nuk kanë tronditur vetëm këtë komunitet të madh në Shqipëri, por edhe përfaqësitë e vendeve perëndimore në Tiranë.

Hap pas hapi po zbulohet, se zgjedhja e kryetarit të ri të këtij komuniteti është e paracaktuar. Ashtu siç me veprimet e tija, Edi Rama, e ka paralajmëruar prej kohësh, në krye të Komunitetit Mysliman është piketuar beniamini i tij dhe i Erion Veliajt e Taulant Ballës, Myftiu i Tiranës Ylli Gura. Prej kohësh në çdo aktivitet, kryeministri Rama, ka bojkotuar kryetari legjitim Skënder Bruçaj duke mos i folur dhe mos denjuar as ti japë dorën, edhe në festa dhe evenimente të mëdha fetare. Ai dhe të gjithë eksponentët e Rilindjes, në çdo event shfaqen vetëm me Ylli Gurrën në krah.

Ky i fundit është edhe i përkëdheluri dhe i preferuari i Turqisë dhe posaçërisht presidentit Erdogan,  cili nga ana tjetër e ka futur Bruçajn në listën e armiqve të Turqisë së tij, duke e cilësuar si “gylenist”.

Pas dorëheqjes së “papritur” nga gara të kryetarit aktual, Skënder Bruçaj, i cili duket nuk e ka përballuar dot presionin e jashtëzakonshëm, nga gjashtë kandidatë kanë mbetur vetëm 3, edhe pas përjashtimit të imamit të xhamisë së Golemit, Gëzim Abdishahi pasi nuk plotësonte kriteret për të qenë kandidat, si dhe tërheqjes në minutat e fundit të Islam Hoxha, Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së.

Pavarësisht se kreut të deri tanishëm të KMSH i lindën “problemet familjare”, vetëm 24 orë përpara votimit, ky i fundit ka qenë i bojkotuar sistematikisht në kohë nga kryeministri Rama dhe çdo eksponent i qeverisë dhe Rilindjes. Pas ultimatumit që kryeministri ka marrë nga Erdogan, se nuk do Bruçajn por Gurrën më në krye të komunitetit shqiptarë mysliman dhe se në të kundërtën, do të anulojë pjesëmarrjen në inaugurimin e Xhamisë së Madhe në qendër të Tiranës për të cilën është investuar, duket se po finalizohet plani që komunitetin më të madh fetar në Shqipëri, Edi Rama t`ja dorëzojë Dijanetit turk.

Kjo situatë ka bërë që të alarmohen edhe përfaqësitë diplomatike perëndimore në Tiranë. Kështu “Syri.net” mëson, se procesi për zgjedhjen e kreut të ri të KMSH, po monitorohet nga afër nga ambasada amerikane, përfaqësuse të disa ambasadave të BE-së dhe OSBE.

Do të jenë 35 myftinj, 12 anëtarët e kryesisë së KMSH dhe 45 anëtarë të shoqërisë civile, që me votë të fshehtë do të zgjedhin kryetarin për një mandat 5-vjeçar, por që duket se a zhvillimeve të fundit nuk do të jetë surprizë.