Haradinaj i vendosur: Nuk i dorëzohem as Rusisë dhe as Serbisë, taksa nuk hiqet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur përsëri për taksën që qeveria që ai drejton ka vendosur ndaj mallrave serbe. Sipas tij, kjo taksë nuk do të hiqet derisa Serbia të njeh Kosovën si shtet.

 “Nuk i dorëzohem as Rusisë as Serbisë, jemi nda me luftë me ta. Pra edhe Amerika duhet të na kuptoj se ne me Serbinë jemi nda në luftë. Ne kemi viktima të shumta nga lufta që kemi bërë me Serbinë” ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTK.

“Pse duhet të hiqet taksa. Ne duhet ta kemi një kontratë e me pastaj të hiqet taksa. Nuk mundem me ec përpara pa e pa se çfarë marrëveshje duhet të kemi”, vijon më tej shefi I qeverisë së Prishtinës.

Haradinaj ka treguar se nuk e dinë se çfarë do të ndodh pasi të hiqet taksa.

“Nuk e dimë ende se çfarë po na ofrojnë Amerika. Nuk e dimë se çka do të ndodh pasi të hiqet taksa. Taksa nuk hiqet. Ajo hiqet vetëm kur të na njoh Serbia”, këmbënguli kryeministri i Kosovës.

Sipas Haradinajt, taksa në fjalë nuk i rrezikon raportet me SHBA-të.

“Mendoj që i kemi disa sfida në marrëdhëniet tona me SHBA’në. Por Kosova kurrë nuk do të jetë antiamerikane. Unë jam me SHBA’në në çdo temë të botës, por sa i përket Kosovës dhe Serbisë, unë jam palë, me të cilën jam ndarë prej luftës. Kjo nuk i rrezikon raportet. Kërkesa e SHBA’së është pezullimi. Asnjë veprim i yni nuk është bilateral me SHBA’në, asnjë gabim nuk e kemi bërë”, ka thënë Haradinaj.