FOTO/ Nxitonte drejt spitalit për të lindur bebin, aksidentohet çifti shqiptar në Itali

Brea ka një hundëz të bukur, ashtu e mbështjellë me një batanije të re pambuku ngjyrë rozë. Ajo qëndron në krahët e mamasë, e qetë, mbi një shtrat në pavionin 30 të repartit obstetrik të spitalit të grave dhe fëmijëve. Kohë pas kohe lëviz doçkat dhe mbledh buzkat e vogla.

Vajza erdhi në këtë botë një natë më parë, pak minuta pas një aksidenti rrugor. Mamaja Dorisa Hyka dhe babai Aldo Troklini po nxitonin për në spital, sepse Dorisa, në muajin e nëntë të shtatzanisë, kishte nisur të ndiente kontraktimet e para.

Por sapo arritën midis rrugëve Redipuglia dhe Centro me makinën e tyre, një Opel Meriva u përplas me një Dacia Sandero. Policia po heton shkaqet.

“Unë u tmerrova, - tha Dorisa, një 22-vjeçare që e ka fytyrën si kukull, - pata shumë frikë për vogëlushen tonë. Ishim tek një i afërm për darkë në San Massino, kur ndieva që më filluan kontraktimet dhe u futa në makinë për të shkuar ën spital. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë. Jemi të lumtur”.

Dorisa është në Itali prej tre vjetësh, i shoqi prej 6 vjetësh, janë të dy shqiptarë. Brea, do të jetë një nga 3500 fëmijët e lindur në spitalin e grave dhe fëmijëve, 15% e tyre nga çifte të huaja.

Dje pranë Breas dhe mamasë së saj ishin drejtori i spitalit, Valentino Bergamimi, dhe shefi i obstetrikës, Nikolaos Papadopoulos./ar.sh/SYRI.NET