SHBA, 1 milionë dollarë shpërblim për 'kokën' e Hamza Bin Laden!

SHBA kanë vënë një çmim prej 1 milionë dollarësh për atë që informon për vendin ku ndodhet djali i liderit të al-Qaeda, Bin Laden. Hamza Bin Laden po shfaqet si udhëheqës i grupit militant islamik, thanë zyrtarët. Ai mendohet se është në një bazë pranë kufirit afgano-pakistanez.

Vitet e fundit ai ka lëshuar thirrje me zë dhe me video për ithtarët e vet që të sulmojnë SHBA-në dhe aleatët e saj perëndimore si hakmarrje për vrasjen e babait të tij.

Në vitin 2011, forcat speciale amerikane vranë Osama Bin Laden në një kompleks në Abbotabad të Pakistanit. Ai kishte urdhëruar sulmet në SHBA në 11 shtator 2001, në të cilat gjetën vdekjen tremijë persona.

Hamza Bin Laden, që mendohet se është rreth 30 vjeç, është shpallur zyrtarisht si terrorist nga SHBA dy vjet më parë.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ai është martuar me vajzën e Mohammed Atta, njerit nga rrëmbyesit e katër avionëve që u përdorën për sulmet e vitit 2001 dhe që i përplasën ato mbi kullat e Qëndrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Letrat e sekuestruara të Osama Bin Laden në kompleksin e tij treguan se ai e kishte rritur Hamzan, që mendohej të ishte djali i tij i preferuar, me idenë që ta zëvendësonte atë në krye të al-Qaeda.

Hamza Bin Laden mendohet se ka jetuar disa vite me mamanë e tij në Iran, aty ku është bërë edhe dasma e tij, ndërsa të tjera burime thonë se ai mund të ketë jetuar në Pakistan, Afganistan ose Siri./ar.sh/SYRI.NET