Kur do të jetë protesta e rradhës?/ Braimllari: Kur të mblidhet parlamenti, qoftë edhe ditë e dielë

Gjatë intervistës për Syri.net, sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endri Braimllari, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend si dhe protestën e fundit para Parlamentit.

“Edi Rama la në baltë deputetët e Rilindjes. Nuk pranoi të bënte seancë dhe i la në përballë qytetarëve. Kjo është mazhoranca e vetme që do të fusë qytetarët në konflikt.  Ata harrojnë që provokojnë qytetarët, jo opozitën. Ne jemi të zhveshur nga mandatet, protestojmë si qytetarë.  Opozita lexoi qrtë verdiktin qytetar, që duhen djegur mandatet. Pjesëmarrja masive ishte revolta që kanë ndaj Ramës dhe qeverisë. Kam 15 vjet që merrem me politikë e kurrë nuk kam parë një shesh kaq të mbushur”, u shpreh Braimllari.

Sipas tij, urrejtja ndaj Edi Ramës ka shkuar në ekstrem, ndërsa protesta e rradhës do të jetë ditën që do të mblidhet sërish parlamenti, pra ditën e martë.

“Ditën e martë do të ketë protestë. Edhe nëse Gramozi ndërron axhendë sërish do të ketë protestë, edhe ditën e dielë”, vijoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.