Fiorentina-Atalanta, spektakël dhe 6 gola në aktin e parë gjysmëfinal të Kupës së Italisë

Ka përfunduar pa fitues edhe gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Italisë, ajo e zhvilluar në “Artemio Franchi” mes Fiorentinës dhe Atalantës, por ndryshe nga mbrëmja e kaluar në “Olimpico”, sonte tifozët shijuan plot 6 gola.

Atalanta e nisi mjaft vrullshëm takimin, duke shënuar dy herë me Gomes dhe Pasaliç, përkatësisht në minutat e 16’ dhe 18’, dhe krijuan përshtypjen se do të siguronin finalen që në sfidën e parë.

Por Fiorentina reagoi në mënyrë graduale dhe arriti të barazojë brenda pjesës së parë, pasi shënoi fillimisht me anë të Federico Chiesës dhe më pas me mesfushorin Marco Benassi.

Në pjesën e dytë ishte sërish Atalanta që kaloi në avantazh, me golin e shënuar nga mesfushori De Roon, por 10 minuta nga fundi, Fiorentina u kundërpërgjigj edhe njëherë me Muriel, duke barazuar dhe duke shtyrë për në Bergamo, verdiktin se cila skuadër do të shkojë në finale.