Thaçi ofroi dorëheqje të kushtëzuar/Marrëveshja me Serbinë vështirë e kalueshme në Kuvend

Një zotim i kushtëzuar i Presidentit Hashim Thaçi, rreth mundësisë për dorëheqje po që se marrëveshja finale me Serbinë nuk votohet në Kuvendin e Kosovës. Deklaratë kjo që kaloi në heshtje nga subjektet politike qofshin ato në pozitë apo opozitë, raporton Syri.net Kosova.

Janë njohësit e politikës të cilët kanë folur rreth kësaj deklarate dhe mundësisë së kalimit të marrëveshjes me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.

Për Syri.net Kosova, Ramush Tahiri, analist politik tha se një deklaratë e tillë është tërësisht legjitime dhe formë e demokratike në vendet e zhvilluara, mirëpo Presidenti Thaçi këtë e bëri vetëm në mënyrë të kushtëzuar.

Në vendet e tjera demokratike është praktikë që edhe ministri jep dorëheqje nëse nuk kalon ligji dhe nuk miratohet në Kuvend, nga fushëveprimi i ministrisë sponsor i së cilës është Hashim Thaçi dorëheqjen e paralajmëroi në formën e kushtëzuar, duke lënë mundësinë që nëse marrëveshja Kosovë -Serbi që do ta nënshkruante ai si përfaqësues legal e legjitim i shtetit të Kosovës

Tahiri më tutje shton se kreu i shtetit ka lënë hapësirë se marrëveshja, e cila sipas tij do të përmbajë në vete korrigjim të kufirit me Serbinë, respektivisht bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën, mund të hidhet edhe në referendum.

Hashim Thaçi la mundësinë që nëse marrëveshja Kosovë -Serbi që do ta nënshkruante ai si përfaqësues legal e legjitim i shtetit të Kosovës, megjithatë nuk kalon në votim me dy të tretat në Kuvendin e Kosovës, ai nuk do të jepte dorëheqje por marrëveshjen do ta dërgonte për miratim në referendum nga populli, duke konsideruar që Kuvendi nuk do të ishte reprezentuesi autentin i popullit”.

Marrëveshja finale në rrethanat aktuale është thuajse e pamundur të kalojë në Kuvend andaj edhe mundësia e një referendumi është thuajse e parealizueshme.

Për profesorin e Shkencave Politike, njëherit njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, Kosova nuk mund të bëjë një referendum detyrues pasi për të bërë një të tillë duhet ndryshime Kushtetuese.

Referendumi mund të shërbejë vetëm si një referendum konsultative apo fakultativ dhe nuk ka asnjë pengesë që Kuvendi i Kosovës për cilëndo çështje nga kompetenca e veta të mund të shpall një referendum. Por, referendumi në këtë rast nuk ka karakter detyrues, ai është vetëm konsultativ sepse vendimmarrja duhet të kthehet në rrugën kushtetuese, do të thotë votimi nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë rast, referendumi do të ishte i ngjashëm me atë që u mbajt për ndryshimin e emrit (rasti i Maqedonisë së Veriut). Do të ishte vetëm një matje e vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kurse vendimmarrja duhet të kthehet në mënyrë kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Profesori Bajrami thekson se miratimi i Ligjit për referendumin është i detyrueshme për të zbatuar atë në praktikë./A.ZH/ Syri.net Kosova