Ke frikë nga Messi? Ja përgjigja befasuese e Solarit para 'El Clasicos'

Në prag të gjysmëfinales së kthimit në Kupën e Mbretit ndaj Barcelonës, Santiago Solari doli në një konferencë shtypi, ku analizoi gjendjen e skuadrës së tij.

“El Clasico e bën Spanjën kryeqytetin botëror të futbollit. Kjo lloj ndeshjeje e bën Spanjën një vend fantastik dhe të mrekullueshëm. A do të luajë Bale? Fokusi ynë është 100% te ndeshja e nesërme. Pra, unë nuk merrem vetëm me atë, por me të gjithë lojtarët e tjerë.”

Messi u dha një sinjal të qartë rivalëve të përjetshëm me një performancë të jashtëzakonshme ndaj Sevillas, por për Solarin nuk ka vend për panik me rikthimin e “Pleshtit”.

Frikë? “Kjo fjalë nuk ekziston në futboll. Stërvitemi çdo ditë, vëmë zemrën në fushë ndaj cilitdo kundërshtari. Natyrisht, të luash kundër Messit është kënaqësi”.

Solari vlerësoi rritjen e talentit brazilian, Vinicius, por duke këmbëngulur se kjo ka ndodhur falë ndihmës që i jep pjesa tjetër e skuadrës.

“Shokët e tij e kanë ndihmuar shumë. Ai sjell talentin, punën dhe dëshirën për të mësuar. Edhe unë mundohem ta këshilloj, pasi është një djalë shumë i hapur”.

Takimi i parë gjysmëfinal mes Barcelonës dhe Realit, i luajtur në “Camp Nou”, përfundoi në barazim 1-1.