VIDEO/ Reali i ‘falet’ 2 penalltive me Levanten, ruan distancën me Barcelonën dhe Atleticon

Në Primera Division është java e skuadrave të mëdha. Pas sukseseve të Barcelonës dhe Atleticos, gjen fitoren edhe Reali i Madridit.

Skuadra e Solarit fitoi me mjaft vështirësi 2-1 në fushën e Levantes me dy gola me penallti, duke ruajtur distancën me Barcelonën që kryeson me 57 pikë, ndërsa “Los Colchoneros” kanë 50 (Reali ka 48 pikë).

Karim Benzema në fund të pjesës së parë dhe Gareth Bale me 11-metërsh në të 78-ën ishin autorë të golave për skuadrën e Solarit, ndërsa në minutën e 60-të barazoi përkohësisht Roger.

Skuadra “merengues” luajti për disa minuta me një lojtar pak, pasi Nacho u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në të 86-ën, gjithsesi forcat në fushë u barazuan shumë shpejt, sepse të njëjtin fat pati edhe Rochina.

Në minutat shtesë Reali e administroi me qetësi lojën, duke qëndruar në njëfarë mënyrë në garë për titullin, edhe pse 9 pikë janë shumë për t’u rikuperuar ndaj Barcelonës.