Tushaj për Syri.net: I papranueshëm përdorimi i gazit lotsjellës, pashë qytetarë të traumatizuar

Në intervistën për Syri.net, deputeti i LSI-së, Viktor Tushaj, komentoi zhvillimet e protestës së 16 shkurtit dhe përdorimit të gazit lotsjellës nga Garda e Republikës.

Sipas ish kryebashkiakut të Lezhës, përdorimi në atë masë i gazit lotsjellës ishte i panevojshëm.

“Është e papranueshme është përdorimi i gazit lotsjellës. Nuk është çështja se u mbrojt institucioni. Të përdoret në atë mënyrë, të shohësh qytetarë të traumatizuar, të lemeritur. Si mund të bëjë një kryeministër këtë popullit të tij? Asnjë synim nuk kanë patur të prishin kryeministrinë. Po të isha unë kryeministër do t’ju thoja ‘ejani, kryeministria është e juaja”. Ju mendoni se gazi lotsjellës i pengoi 100 mijë njerëz të hynin në kryeministri?”, u shpreh deputeti i LSI-së.

I pyetur nga gazetari Alex Xhelili, nëse kjo opozitë ofron shpresë dhe program, deputeti i opozitës deklaroi:

"Mjafton të bësh të kundërtën e atyre që ka bërë ky kryeministër, të ulësh taksat, ti heqësh koncensionet 10 oligarkëve dhe e ke bërë programin".