Habitet Policia: municione në shtëpinë e gjyqtarit, që shpëtoi Dritan Dajtin

Gjyqtari Skënder Damini gjendet aktualisht në ambientet e Drejtorisë Vendore të policisë Tiranë për t’u marrë në pyetje. Burime policore i thanë abcnews se gjatë kontrollit të banesës që ka në kryeqytet Damini, gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë është gjetur një sasi municionesh luftarake.

Pak pas orës 10.00 të paradites së sotme, Skëndër Damini së bashku me avokatin e tij janë drejtuar për në ambientet e policisë, atje ku gjyqtari pritet të japë shpjegime në lidhje me mbajtjen e municioneve.

Kontrollet në banesat e gjyqtarëve u bënë nga Policia e shtetit ne zbatim te urdherit te Gjykates se Krimeve te Renda. Ndërkohë, ende nuk ka informacion nëse janë gjetur materiale kompromentuese në banesat e e dy gjyqtarëve të tjerë të kontrolluara gjatë ditës së sotme. 

Forcat Speciale kontrolluan mëngjesin e sotshëm,  shtëpitë e gjyqtarëve që lehtësuan dënimin e Dritan Dajtit, në kuadrin e operacionit “Forca e ligjit”, pas dyshimeve se gjyqtarët kanë abuzuar me detyrën. Dritan Dajti, i akuzuari për vrasjen e 4 policëve që sot janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, i shpëtoi dënimit me burg të përjetshëm dhe u dënua me vetëm 25 vite burgim.

Kontrolli  u ushtrua në banesat e anëtarëve të trupës së Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda: Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikollit të Gjykatës së Apelit Shkodër.