Gjest i madh, Messi ndihmon fëmijët të sëmurë me kancer

Leo Messi është një futbollist i madh si brenda fushës ashtu edhe jashtë saj.

Ylli argjentinas i Barcelonës, po vazhdon ta shfaqë përkushtimin e tij në luftën kundër kancerit të fëmijëve.

Investimet e bëra nga “Shoqata Messi” e kanë krijuar një lidhje mes spitalit Garrahan në Buenos Aires dhe spitalit Sant Joan de Deu në Barcelonë.

Messi dhe shoqata e tij ofrojnë grante dhe subvencione, të cilat e arrijnë shifrën prej 100 milionë eurove në vit.

“Kjo shoqatë është e përkushtuar në këtë linjë të re, e cila e definon spitalin. Bashkëpunimi me shoqatën e Messit na përforcon dhe na lejon që të japim më shumë grante dhe të shtojmë specialistë të aftë në projektet tona”, ka thënë Silvia Kassab, drejtore ekzekutive në spitalin Garrahan.

Babai i pesë-herë fituesit të Topit të Artë, Jorge Messi, është drejtues i shoqatës së birit të tij. Jorge e ka theksuar edhe një herë rëndësinë e këtij projekti.

“Jemi të lumtur që kemi mundësi t’u ndihmojmë të gjithëve të Garrahan në një projekt kaq të rëndësishëm. E dimë se çfarë do të thotë kjo për djemtë dhe vajzat e këtij vendi”, përfundoi Jorge.