Balliu përshëndet Palokën nga 'Unaza': Rama e ka të shkruar në ballë frikën për 16 Shkurtin

Është duke u zhvilluar protesta e banorëve të Astirit, të cilët për plot 104 ditë rresht kanë dalë në rrugë kundër vendimit të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës për shembjen dhjetëra banesave dhe bizneseve në këtë zonë.

As sot nuk mungoi deputeti demokrat, Klevis Balliu, i cili nuk harroi të përmendte edhe ngjarjen e sotme në parlament, ku Edi Paloka bëri me bojë kryeministrin Edi Rama.

“Nuk mund të rri pa përshëndetur Edi Palokën. E përshëndet e gjithë Unaza. Të ishit brenda sallës së parlamentit dhe të shihnit frikën e Edi Ramës për 16 Shkurtin. E ka të shkruar në ballë. Kudo që shkon, në çdo qytet, gjen sallën më të vogël. Tani ke vetëm një rrugë, ose të rrëzohesh, ose të largohesh. Opozita i ka provuar të gjitha rrugët. Kemi denoncuar qindra afera korruptive, qindra raste se si ministra e deputetë të kësaj mazhorance kishin lidhje me banda e kriminelë. Bashkëpunimin e Ramës me krimin e organizuar. Të gjitha i kemi çuar në prokurori, por kjo drejtësi e Edi Ramës e ngritur me spiunë të ish-sigurimit nuk ka bërë asgjë. I kemi hezauruar të gjitha opsionet politike dhe juridike”, u shpreh deputeti Klevis Balliu.