VIDEO/ Reali tregon veten në Champions, me një këmbë në çerekfinale

Në “Amsterdam Arena” u luajt ndeshja e parë e 1/8-ave të finaleve të Champions League mes Ajaxit dhe Realit të Madridit, shkruan Syri.net.

Me mjaft vështirësi skuadra spanjolle fitoi 2-1, ku të tre golat e shënuan në fraksionin e dytë.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, por VAR-i i anuloi një gol Ajaxit.

Në minutën e 37-të nga një goditje këndi, është Tagliafico që shënon, duke kaluar Ajaxin në avantazh.

Por, për herë të parë aplikohet sistemi VAR dhe pas pamjeve filmike, goli anulohet për pozicion jashtë loje.   

Në pjesën e dytë, në minutën e 60-të Karim Benzema kalon madrilenët në avantazh, me një gjuajtje të saktë në zonë, ku merita i shkon Vinicius për aksionin që prodhoi këtë gol.

Epërsia e kampionëve të Europës nuk zgjat shumë, pasi Ziyech në minutën e 75-të barazon rezultatin.

Gjithsesi, Asensio në të 87’ realizon edhe golin e dytë për “Los Blancos”, duke i dhënë fitoren ekipit të tij, i cili e sheh veten me një këmbë në çerekfinale.